Përfundoi punimet Kongresi i shtatë ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore – KISCOMS 7

Përfundoi punimet Kongresi i shtatë ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore – KISCOMS 7

Dje përfundoi punimet Kongresi i shtatë ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore, projekt i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, që ka për qëllim ngritjen e vetëdijës dhe interesimit të profesionistëve dhe studentëve të rinjë të shkencave  mjekësore, mbi rëndësinë e punës, projekteve e hulumtimeve shkencore.

Komiteti Shkencor në përbërje të Lulzim Vokrri, Kryetar dhe me anëtarë Dugagjin Sokoli, Blerim Krasniqi, Ekrem Maloku, Eglantina Kraja Bardhi, Rudina Degjoni, Eva Rroja, Albena Reshitaj, Bajram Abdullahu, Ramadan Sopi, pas vlerësimit të abstrakteve dhe prezantimeve, shpallën fitues të çmimit të parë punimin me titull “Arctigenina përmirëson tonusin vaskular dhe ulë inflamacionin në venën safena” me autor Armond Daci, dhe bashkëautorë Sh.Krasniqi, B.Neziri, G.Bereta, G.Norata, R.Cavolli, R.Alaj, Sh.Shurdhiqi, Xh. Rizani.

Komiteti Shkencor, me çmimin e dytë ka vlerësuar punimin “Zhvillimi i metodës diagnostike-parashikuese për përcaktimin e mbijetimit të pacientëve që i janë nënshtruar RKP, duke aplikuar analizën e spektometrisë së masës në mostrat e plazmës së pacientëve”, me autor Liridon Muqaku.

Ndërsa për poster prezantimin më të mirë u vlerësua punimi “Metodat hulumtuese për Trisomitë 13/18/21 dhe Defektet e Tubit Neural”, me autore Mumadije Luma.

Kongresi i shtatë ndërkombëtar për Shkenca Mjekësore, u realizua në bashkëorganizim me Ministrinë e Shëndetësisë, Universitetin e Prishtinës „Hasan Prishtina“, Universitetin e Gjakovës „Fehmi Agani“, Kolegjin „Universi“, Kolegjin e Shkencave Mjekësore „Rezonanca“, Kolegjin „Fama“, Akademinë Italiane të Nutricionit dhe Dietologjisë si dhe Institucionet tjera shtetërore, shëndetësore, arsimore e shkencore në Republikën e Kosovës.

Ky projekt ishte i akredituar nga Bordi i Edukimit në Vazhdim në Ministrinë e Shëndetësisë, me 20 kredi për pjesëmarrësit aktivë dhe 15 kredi për pjesëmarrësit pasiv.

https://www.youtube.com/watch?v=1bp6igX0iDQ&feature=youtu.be